Atentati i ndodhur më 16 tetor poshtë banesës së gazetarit Sigfrido Ranucci ka sjellë zhvillime të reja hetimore, ku hetuesit italianë po shqyrtojnë një pistë që lidh ngjarjen me Shqipërinë. Ngjarja lidhet me emisionin televiziv të Report, titulluar ‘(Hot) Spot Albanese’, i transmetuar më 21 prill 2024, që trajtonte projektet e qendrave për migrantë të ndërtuara nga Italia në Shqipëri, në Shëngjin dhe Gjadër.
Në qendër të hetimeve është Artur Shehu, 58-vjeç, sipërmarrës me origjinë shqiptare, i cili aktualisht jeton në Miami, Florida. Hetuesit italianë po analizojnë përfshirjen e mundshme të tij në shpërthim. Drejtoria Distrektuale Antimafia e Romës, me zëvendësprokuroren Ilaria Calò dhe prokurorin Carlo Villani, së bashku me karabinierët e Njësisë Hetimore të Frascatit dhe të via In Selci, po ndjek çdo pistë për të identifikuar personin që vendosi eksplozivin dhe porositësit e mundshëm.
Sipas informacioneve nga Vlora dhe burimeve hetimore, emri i Shehut ka lidhje me disa segmente të emisionit, duke u vendosur brenda një rrjeti marrëdhëniesh dhe interesash që prek edhe ambientet politike dhe institucionale shqiptare. Hetimet vazhdojnë dhe mbeten të hapura edhe pista të tjera, ndërsa ‘pista shqiptare’ po ndiqet me kujdes nga autoritetet italiane.

