Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se nuk do të lejojë kurrë që Irani të pajiset me armë bërthamore, duke theksuar qëndrimin e tij të ashpër në politikën e jashtme gjatë fjalimit për Gjendjen e Kombit.
Në një fjalim që zgjati rreth një orë e 48 minuta, Trump foli për atë që e cilësoi si rikthim të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara, duke vendosur në qendër ekonominë, sigurinë kufitare dhe politikën ndërkombëtare. Ai deklaroi se vendi ka përjetuar një transformim të madh gjatë vitit të fundit dhe se ekonomia po performon më mirë se më parë.
Sipas tij, inflacioni është ulur në nivelet më të ulëta të viteve të fundit, ndërsa tregu i aksioneve ka shënuar dhjetëra rekorde që prej zgjedhjeve. Trump kritikoi gjithashtu administratën e mëparshme të Joe Biden, duke e fajësuar për vështirësitë ekonomike dhe inflacionin e lartë.
Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua emigracionit, ku presidenti amerikan deklaroi se kufijtë e SHBA-së janë më të sigurt se kurrë dhe se masat e marra kanë reduktuar trafikun e drogës.
Trump u ndal edhe te politika energjetike, duke theksuar synimin për rritjen e prodhimit vendas të naftës dhe uljen e çmimeve. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara po përfitojnë gjithnjë e më shumë nga burimet energjetike dhe investimet e reja.
Në përfundim, presidenti amerikan përsëriti se politika e tij do të mbetet e vendosur, duke theksuar se SHBA nuk do të lejojë që Irani të sigurojë armë bërthamore.

