Një vlerë prej 1 milion eurove të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda një furgoni janë gjetur nga zyrtarët e Doganës dhe policët kufitarë në Merdarë.
Të dyshuarit janë Ahmet Kaziu, polic në radhët e Policisë së Shtetit, konkretisht në Komisariatin numër 5 në Tiranë, Ardit Laska dhe Etnik Ahmaxhokaj.
Të tre këta janë ndaluar fillimisht për një kontroll nga Dogana e Kosovës ndërsa nga pajisjet dixhitale me rreze X është hasur në disa dyshime për mjete monetare të fshehura brenda një furgoni.
Dogana e Kosovës ka njoftuar se në pikën e kalimit kufitar në Merdarë, zyrtarët kanë selektuar automjetin për kontroll të detajuar, bazuar në analizën e riskut dhe procedurat standarde operative.
Automjeti fillimisht është kontrolluar përmes pajisjes së skanimit me rreze X, ku janë identifikuar indikacionet e para për ekzistimin e një hapësire të dyshimtë të modifikuar në dyshemenë e tij.
“Pas këtyre indikacioneve, Dogana e Kosovës ka kërkuar asistencë nga zyrtarët e Policisë Kufitare, të cilët kanë ofruar mbështetje teknike përmes pajisjes fibroskopike. Gjatë kontrollit të përbashkët, dyshimet e ngritura nga skaneri janë konfirmuar me zbulimin e mjeteve monetare të padeklaruara, të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda automjetit”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.
Sipas vlerësimeve fillestare, shuma e mjeteve monetare dyshohet të jetë rreth 1 milion euro.
Dogana e Kosovës thekson se përdorimi i teknologjisë së avancuar të kontrollit, si skanerët X-Ray, mbetet një nga mjetet kyçe për zbulimin e rasteve të kontrabandës dhe parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme financiare.
Burimi: KALLXO.com

