Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e ka nisur vizitën zyrtare në Kosovë me homazhe në Kompleksi Memorial Adem Jashari, në Prekaz, një nga vendet simbol të historisë së luftës për liri.

Gjatë vizitës, Spiropali shoqërohej nga Glauk Konjufca, me të cilin vendosi kurora dhe bëri homazhe në nderim të sakrificës së familjes së Adem Jashari, që u kthye në simbol të shtetformimit të Kosovës.

Delegacioni u prit më pas në kullën e familjes Jashari nga Rifat Jashari, ku Spiropali theksoi rëndësinë historike dhe simbolike të kësaj godine, duke e cilësuar si dëshmi të çmimit të lirisë.

Në reagimin e saj publik, ajo u shpreh se në Prekaz ndihet pesha e historisë dhe përgjegjësia për të ardhmen, duke theksuar se liria kërkon përkushtim të vazhdueshëm, dinjitet dhe drejtësi.

Spiropali nënvizoi se Prekazi nuk është vetëm një vend përkujtimi, por një simbol i vendosmërisë për të mos u dorëzuar dhe një thirrje për të qenë të denjë ndaj sakrificës së bërë për liri.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *