I shpalluri në kërkim ndërkombëtar Durim Bami pritet të ekstradohet gjatë ditës së sotme nga Dubai drejt Shqipërisë, në kuadër të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për kapjen dhe kthimin e personave të kërkuar nga drejtësia.
Sipas njoftimit të Policia e Shtetit, 47-vjeçari me banim në Nikël do të sillet në Tiranë pas përfundimit të procedurave të ekstradimit. Ai konsiderohet një nga personat e kërkuar për disa veprimtari kriminale, kryesisht në zonën e Fushë-Krujës dhe Tiranës.
Ndaj tij, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për disa vepra penale, mes të cilave sigurimi i kushteve dhe mjeteve për kryerjen e vrasjes, pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal, kultivimi i bimëve narkotike dhe kryerja e veprave penale në kuadër të një organizate kriminale.
Ekstradimi realizohet në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, i cili synon lokalizimin dhe kthimin në Shqipëri të personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Policia bëri me dije se pas mbërritjes së tij në vend pritet të jepen informacione të tjera zyrtare për mediat.

