Deputetja e Partia Demokratike e Shqipërisë, Jorida Tabaku, ka ngritur shqetësimin për përkeqësimin e situatës në sektorin fason, duke paralajmëruar se shumë biznese prodhuese po shkojnë drejt mbylljes.
Gjatë një vizite në një fabrikë fasonerie, ajo u shpreh se një biznes që deri pak muaj më parë kishte rreth 120 punonjës, sot ka mbetur me vetëm 30, ndërsa mbi 90 familje kanë humbur burimin e të ardhurave. Sipas saj, makineritë e ndaluara dhe ambientet pothuajse bosh tregojnë vështirësitë serioze që po kalon prodhimi vendas.
Tabaku theksoi se faktorë si taksat e larta, kostot në doganë, zhvlerësimi i euros dhe rritja e pagës minimale po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë funksionimin e bizneseve që prodhojnë për eksport.
Sipas saj, sektori fason, një nga burimet kryesore të punësimit dhe eksporteve në vend, po përballet me një krizë të thellë që rrezikon të lërë pa punë mijëra persona.
Deputetja e opozitës kërkoi që mbështetja për prodhimin vendas të trajtohet si prioritet kombëtar, duke theksuar se ndryshimet në politikat ekonomike janë të domosdoshme për të shpëtuar bizneset dhe për të garantuar stabilitet për familjet që varen nga ky sektor.

