Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka pranuar se ka gabuar në deklaratën e tij lidhur me tokën e Manastirit të Deçanit.
Ai tha se kishte ngatërruar dy ngjarje të ndryshme dhe se deklarata e tij nuk kishte të bënte me vendimin për 24 hektarë tokë për Manastirin, por me pranimin e kërkesës për vizitën e Patriarkut Porfirije në Kosovë për Krishtlindjet ortodokse të vitit 2023.
“Me keqardhje po them se i kam ngatërruar këto dy ngjarje që ndodhën afër njëra-tjetrës dhe tashmë kanë kaluar disa vite. Gabimisht e lidha këtë me kthimin e tokës së Deçanit,” tha Rashiq, duke shtuar se nuk ka pasur qëllim të krijojë konfuzion.
Deklarata e tij kishte nxitur reagime të shumta publike dhe politike, ndërsa Rashiq theksoi se vendimi për tokën e Manastirit ishte zbatuar sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga viti 2016.
Ai gjithashtu sqaroi se marrëdhënia dhe bashkëpunimi me kryeministrin Albin Kurti kishte ndikuar në zbatimin e vendimit, duke theksuar se gabimi i tij ishte vetëm një keqkuptim i ngjarjeve të ndryshme.

