Shqipëria po përgatitet për ndeshjen e parë të “Play Off”-it të Botërorit ndaj Polonisë, por kuqezinjtë përballen me shqetësime të mëdha në repartin e sulmit. Trajneri Silvinjo mund të detyrohet të bëjë ndryshime të rëndësishme përpara sfidave vendimtare që përcaktojnë pjesëmarrjen në finale.
Dy nga sulmuesit kryesorë, Armando Broja dhe Mirlind Daku, po përballen me probleme fizike që mund t’i mbajnë jashtë ndeshjeve kyçe.
Broja vazhdon të mungojë nga stërvitjet për shkak të dëmtimit dhe rikthimi i tij mbetet i pasigurt. Ai ka qenë një nga armët kryesore të sulmit kuqezi dhe mungesa e tij do të jetë një sfidë për strategjinë e trajnerit.
Daku ka pësuar një dëmtim në tendinë dhe gjendja e tij është më delikate. Trajneri i Rubin Kazan, Frank Artiga, konfirmoi se lojtari nuk do të rrezikohet deri sa të rikuperohet plotësisht. Data e rikthimit të Dakut mbetet e pasigurt, gjë që e bën pjesëmarrjen e tij në “Play Off” shumë të diskutueshme.
Kjo situatë hap mundësi për sulmues të tjerë si Anis Mehmeti dhe Ernest Muçi, apo edhe vëllezërit Shpendi që po shkëlqejnë në Serinë B italiane, për t’u bashkuar me Kombëtaren.
Ndeshja e parë ndaj Polonisë do të zhvillohet më 26 mars, ndërsa lista përfundimtare e lojtarëve do të zyrtarizohet vetëm pak ditë më parë, duke lënë pak kohë për eksperimente.

