Emiratet e Bashkuara Arabe kanë mbyllur rafinerinë më të madhe të naftës në rajon pas një sulmi me dron që goditi objektin industrial, sipas raportimit të Bloomberg.
Sulmi shkaktoi një zjarr në instalimet e rafinerisë, e cila përpunon rreth 922 mijë fuçi naftë në ditë, duke e bërë një nga qendrat më të mëdha të përpunimit të naftës në Lindjen e Mesme.
Autoritetet në Abu Dhabi bënë të ditur se nga incidenti nuk ka persona të lënduar, ndërsa ekipet e emergjencës ndërhynë për të shuar flakët dhe për të vlerësuar dëmet në infrastrukturë. Ndërkohë është hapur edhe një hetim për të përcaktuar rrethanat e sulmit.
Ngjarja vjen vetëm pak ditë pasi edhe Arabia Saudite u detyrua të mbyllte rafinerinë e saj më të madhe të naftës pas një sulmi të ngjashëm me dron, që shkaktoi ndërprerje në prodhim.
Zhvillimet e fundit kanë rritur shqetësimet për sigurinë e infrastrukturës energjetike në Lindjen e Mesme, një rajon kyç për furnizimin global me naftë. Analistët paralajmërojnë se çdo ndërprerje e madhe e prodhimit në këtë zonë mund të ndikojë drejtpërdrejt në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe në rritjen e çmimeve të naftës.

