Sot shënohen 45 vjet nga demonstratat e studentëve në Kosovë, të nisura më 11 mars 1981 në Prishtinë, të cilat konsiderohen ndër ngjarjet që tronditën më së shumti ish-Jugosllavinë.
Protestat filluan fillimisht si reagim i studentëve shqiptarë të Universitetit të Prishtinës ndaj kushteve të vështira të jetesës dhe studimit në Qendrën e Studentëve. Më 4 mars 1981, në Mensën e Studentëve, ata shprehën pakënaqësitë e tyre për kushtet e dobëta sociale.
Megjithatë, demonstratat u zgjeruan shpejt dhe morën një dimension më të gjerë politik. Më 11 dhe 27 mars, si dhe më 1 dhe 2 prill 1981, protestat u shndërruan në lëvizje gjithëpopullore, ku krahas kërkesave sociale u artikuluan edhe kërkesa politike, shoqërore dhe kombëtare të shqiptarëve në Kosovë.
Demonstratat e pranverës së vitit 1981 shënuan një moment të rëndësishëm në historinë e Kosovës dhe konsiderohen nga shumë studiues si një pikë kthese në përballjen e shqiptarëve me regjimin e atëhershëm jugosllav.

