Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se, me urdhër të prokurorit kujdestar, është ndaluar për 48 orë këngëtari i njohur me emrin artistik Gjesti, emri i vërtetë i të cilit është Besart Kelmendi.
Sipas njoftimit zyrtar, ndalimi i tij është bërë për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer disa vepra penale. Bëhet fjalë për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas nenit 366 të Kodit Penal të Kosovës, si dhe për veprat penale “kanosje” (neni 181) dhe “asgjësim apo dëmtim i pasurisë” (neni 321).
Burime bëjnë të ditur se rasti lidhet me një incident ku dyshohet se Gjesti ka kërcënuar me armë Erkand Shabanin, drejtor i kompanisë muzikore “Onima”.
Sipas informacioneve të siguruara, kjo nuk është hera e parë që reperi Gjesti dhe persona të afërt me të dyshohet se kanë kërcënuar me jetë drejtorin e “Onima-s”. Konflikti mes palëve lidhet me një kontratë bashkëpunimi që Gjesti kishte me këtë kompani që para se të hynte në spektaklin Big Brother VIP Albania, kontratë të cilën ai dyshohet se ka vendosur të mos e respektojë pas daljes nga ky format televiziv.

