Në tremujorin e fundit të vitit të kaluar numri i punonjësve në sektorin shtetëror u zgjerua më tej duke arritur në 186,581 persona, ndërsa numri mesatar për të gjithë vitin 2025 ishte 185,386 punonjës.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në krahasim me vitin 2024 administrata publike u zgjerua me rreth 3 mijë punonjës ose me 1.6% më shumë, duke shënuar nivelin më të lartë që nga viti 2002.

Në vitin 2002, vendi numëronte mbi 3 milionë banorë dhe shërbehej nga rreth 186 mijë punonjës publikë. Vitin e kaluar, 23 vite më pas, popullsia ka pësuar një rënie drastike prej 22%, duke zbritur në rreth 2.36 milionë banorë, një tkurrje që reflekton emigrimin dhe rënien e lindshmërisë.

Megjithatë, në vend që të ndiqte këtë trend rënës apo të reflektonte automatizimin e shërbimeve përmes investimeve qindra miliona eurosh në platforma digjitale, numri i punonjësve në administratë ka shënuar rritje të shpejtë sidomos pas vitit 2018.

Në vitin 2014, fondet për paga dhe kontribute për punonjësit e shtetit ishin rreth 71.4 miliardë lekë, ndërsa numri i të punësuarve në sektorin publik ishte rreth 163 mijë persona.

Njëmbëdhjetë vite më vonë, në vitin 2025, administrata publike numëron mbi 185 mijë punonjës dhe shpenzimet buxhetore për personelin janë rritur në rreth 125.7 miliardë lekë. Nga viti 2024 në 2025, numri i punonjësve në sektorin shtetëror është zgjeruar me 12.7 për qind, ndërsa shpenzimet ndaj tyre janë rritur me 76 për qind.

Rritja nuk ka qenë vetëm në numrin e punonjësve dhe fondet për paga. Paralelisht, investimet për qeverisjen digjitale janë shtuar me ritme të shpejta në gjashtë vitet e fundit.

Në vitin 2025, financimi për e-qeverisjen u rrit ndjeshëm duke arritur në 20.1 miliardë lekë (mbi 200 milionë euro), nga rreth 3.3 miliardë lekë që ishin në vitin 2019, në një total prej 48.4 miliardë lekësh në katër vite, ose gati 500 milionë euro.

Qeveria e ka paraqitur digjitalizimin si një nga shtyllat kryesore të modernizimit të administratës dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët dhe bizneset. Të dhënat e Eurostat tregojnë se shqiptarët e përdorin e-qeverisjen më shumë se mesatarja e Bashkimit Europian, pasi shumë shërbime tashmë mund të merren vetëm online. Rreth 78% e qytetarëve shqiptarë kanë ndërvepruar me autoritetet publike në mënyrë online gjatë 12 muajve të fundit, krahasuar me 72% që është mesatarja e Bashkimit Europian.

Megjithatë, shërbimet publike digjitale kanë shfaqur probleme funksionimi gjatë muajve të fundit. Platforma kryesore e-Albania është përballur me ndërprerje të shpeshta, vonesa dhe pamundësi aksesimi, duke krijuar vështirësi në marrjen e dokumenteve dhe kryerjen e procedurave administrative.

Kalimi i shërbimeve online pritej të sillte një administratë më të vogël, por shifrat tregojnë të kundërtën. Në vitin 2003 kishte rreth 16 banorë për çdo punonjës shteti, ndërsa në vitin 2025 ky raport pritet të bjerë në më pak se 13 banorë për një punonjës, duke e bërë sektorin publik gjithnjë e më të rëndë për taksapaguesit.

Burimi: Monitor.al

https://monitor.al/sherbimet-online-por-administrata-publike-arrin-ne-185-4-mije-punonjes-rekordi-i-23-viteve/

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *