Rreth 24.2% e familjeve në Shqipëri rezultojnë të kenë pagesa të prapambetura që lidhen me qiranë e shtëpisë, faturat e shërbimeve (energji, ujë, ngrohje) apo blerjen e pronave me këste, sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2023.
Kjo do të thotë se afërsisht një në katër familje ka vështirësi reale për të përmbushur në kohë detyrimet që lidhen me menaxhimin e banesës.
Ky nivel është dukshëm më i lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, e cila në vitin 2023 ishte rreth 9–10%, duke e pozicionuar Shqipërinë ndër vendet me vështirësi të larta për të përballuar kostot e banimit, pas Greqisë, Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë. Krahasuar me vendet e Eurozonës, ku përqindja e familjeve me vonesa në pagesa është rreth 9.5%, situata në Shqipëri rezulton më shumë se dyfish më problematike.
Kjo përqindje e lartë e familjeve që nuk përballojnë faturat e shtëpisë tregon se një pjesë e konsiderueshme e tyre janë financiarisht të brishta dhe të ekspozuara ndaj goditjeve ekonomike, rritjes së çmimeve, humbjes së të ardhurave apo shpenzimeve të paparashikuara.
Në shumicën e vendeve të Europës Perëndimore, si Gjermania, Franca, Holanda apo Austria, vetëm 5–10% e familjeve kanë pagesa të prapambetura, çka e vendos Shqipërinë shumë larg standardit europian të përballueshmërisë financiare.
Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, situata është përgjithësisht më problematike sesa në Bashkimin Europian, por Shqipëria mbetet ndër vendet me nivelin më të lartë të vështirësive. Me 24.2%, Shqipëria ka një përqindje më të lartë se Serbia (17.9%) dhe më afër vendeve me presion të fortë financiar si Turqia (26.3%).
Shqipëria pozicionohet mbi mesataren rajonale dhe shumë larg BE-së, duke reflektuar një kombinim faktorësh si të ardhurat e ulëta, kostot relativisht të larta të jetesës dhe mungesën e mekanizmave mbrojtës për familjet.
Të dhënat tregojnë se vendi ka ende kosto më të ulëta në çmimet e qirave dhe faturave utilitare krahasuar me shumë vende europiane, por nga ana tjetër një përqindje të lartë familjesh që nuk kanë mundësi t’i paguajnë në kohë.
Situata në vitet në vijim mund të përkeqësohet, pasi çmimet e banesave në Shqipëri po rriten më shpejt se pagat, ndërsa kostot e përgjithshme të jetesës vijojnë të shtohen, duke e bërë edhe më të vështirë për familjet menaxhimin e shpenzimeve të shtëpisë.
Burimi: Monitor.al
https://monitor.al/eurostat-24-e-familjeve-shqiptare-nuk-paguajne-ne-kohe-faturat-dhe-qirane/

