Ish-kapiteni i Manchester United, Wayne Rooney, ka deklaruar publikisht se Michael Carrick duhet të emërohet trajner i përhershëm i skuadrës, pas fitores 3–1 ndaj Aston Villa-s.
Duke folur për BBC-në pas ndeshjes, Rooney u shpreh i bindur se Carrick është personi i duhur për drejtimin e ekipit.
“100 për qind ai duhet ta marrë këtë detyrë. E kam thënë edhe më parë. E dija që kjo do të ndodhte me Michael Carrickun”, tha Rooney.
Sipas Rooneyt, Carricku ka sjellë qetësi dhe stabilitet në skuadër, duke ndikuar që lojtarët të paraqiten më të bashkuar dhe me më shumë cilësi në fushë.
“E njoh shumë mirë karakterin dhe personalitetin e tij. Ekipit i duhej një kokë e qetë dhe dikush që e njeh klubin. Lojtarët kishin nevojë për mbështetje dhe ai ua ka dhënë”, shtoi ish-sulmuesi anglez.
Rooney theksoi gjithashtu se, nën drejtimin e Carrickut, skuadra duket më e fortë dhe më e organizuar, duke shtuar se trajneri ka përqindjen më të mirë të fitoreve krahasuar me trajnerët e tjerë të klubit në të njëjtën periudhë ndeshjesh.
Aktualisht, Manchester United renditet në vendin e tretë në Premier League pas 30 javësh me 54 pikë, ndërsa objektivi kryesor i klubit mbetet sigurimi i një vendi në UEFA Champions League për sezonin e ardhshëm.

