Marta Kos, Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerimin, është vënë sërish në qendër të polemikave në vendin e saj, Slovenia, pas akuzave se në vitet ’80 ka qenë bashkëpunëtore e UDBA-s, policisë famëkeqe sekrete të ish-Jugosllavisë.
Debati ka kapërcyer tashmë kufijtë kombëtarë dhe ka mbërritur deri në Brussels, ku ndodhen institucionet e Komisionit Europian. Eurodeputetja sllovene Romana Tomc njoftoi se i ka dorëzuar Komisionit Europian dokumente që, sipas saj, tregojnë për një implikim të mundshëm të Kos në strukturat e spiunazhit të ish-Jugosllavisë.
Tomc ka kërkuar që këto pretendime të verifikohen përmes një hetimi zyrtar, duke theksuar se transparenca është e domosdoshme për të ruajtur kredibilitetin e institucioneve europiane.
Nga ana e saj, Kos i ka hedhur poshtë kategorikisht akuzat, duke i cilësuar ato si “dezinformim” dhe pjesë të një fushate politike kundër saj.
Kontroversia është rikthyer në një moment delikat politik për Slloveninë, vetëm pak ditë para zgjedhjeve të 22 marsit. Koalicioni i majtë në pushtet, i udhëhequr nga kryeministri Robert Golob, i cili mbështet Kos, po përballet me presion të shtuar nga opozita e djathtë.
Analistët politikë në Ljubljanë vlerësojnë se rikthimi i këtyre akuzave mund të ndikojë në klimën politike para zgjedhjeve, ndërsa pritet të shihet nëse institucionet europiane do të ndërmarrin hapa për të shqyrtuar pretendimet e ngritura.
