Në vitin 2025, numri i mjeteve në qarkullim në vend e kaloi për herë të parë shifrën e 1 milionit, nga të cilat rreth 850 mijë janë autovetura.
Vetëm në dy vitet e fundit, 2024–2025, janë shtuar në qarkullim rreth 100 mijë mjete në vit, sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor.
Edhe gjatë dy muajve të parë të vitit 2026 janë importuar 14 mijë mjete të tjera, me një rritje prej 5%. Ndonëse vitet e fundit është rritur importi i mjeteve elektrike, ato mbeten në nivele shumë të ulëta në raport me totalin, me vetëm 1.3%.
Dominojnë mjetet me naftë. Gati 69% e mjeteve që qarkullojnë në vend furnizohen me naftë, 19% janë me benzinë, ndërsa rreth 8% janë hibride me benzinë dhe gaz. Rreth 20% e mjeteve në vitin 2025 janë importuar nga Koreja e Jugut, të favorizuara nga çmimet më të lira.
Numri i lartë i mjeteve ka rritur edhe konsumin e karburanteve, i cili në vitin 2025 arriti një rekord prej 740 mijë tonësh. I konvertuar në litra, konsumi arriti në rreth 890 milionë litra.
Me një çmim mesatar prej 173 lekë/litër, konsumatorët shqiptarë shpenzuan rreth 154 miliardë lekë, ose afërsisht 1.6 miliardë euro për karburant gjatë vitit 2025.
Viti 2026 nisi me çmime të qëndrueshme, por zhvillimet në Lindjen e Mesme në fillim të marsit ndikuan në rritjen e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, duke u reflektuar menjëherë edhe në Shqipëri, ku një litër naftë arriti rreth 199 lekë.
Nëse kjo situatë vazhdon, bazuar në konsumin e vitit të kaluar, pagesa shtesë për qytetarët pritet të jetë nga 1.6 deri në 2.3 miliardë lekë në muaj (16–23 milionë euro), ose rreth 19.4 miliardë lekë (afërsisht 200 milionë euro) për periudhën mars–dhjetor 2026.
Konsumi më i lartë i karburanteve regjistrohet gjatë muajve të verës dhe në dhjetor, për shkak të pushimeve dhe festave.
Në rast të një përshkallëzimi të mëtejshëm të krizës dhe rritjes së çmimit të naftës në bursë deri në 150 dollarë për fuçi, nafta në vend mund të arrijë deri në 250 lekë për litër, duke rritur ndjeshëm kostot mujore për qytetarët.
Shqipëria mbetet ndër vendet me çmimin më të lartë të naftës në Europë, sidomos në raport me fuqinë blerëse.
Një nga arsyet kryesore është niveli i lartë i taksave, që përbëjnë mbi 60% të çmimit final. Vetëm taksa e qarkullimit është 27 lekë për litër dhe në vitin 2025 ka gjeneruar rreth 21.3 miliardë lekë të ardhura.
Në teori, këto të ardhura përdoren për mirëmbajtjen e rrugëve, por në praktikë shumë segmente rrugore mbeten të amortizuara. Heqja e kësaj takse do të mund të lehtësonte barrën financiare të qytetarëve përballë rritjes së çmimeve.
Burimi: Monitor.al

