Inflacioni në Shqipëri, i matur përmes Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK), sipas metodologjisë së Eurostat-it, arriti në 2.5% në muajin shkurt 2026, sipas të dhënave nga INSTAT. Kjo vlerë ishte më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, ku inflacioni në të njëjtën periudhë ishte 2.1%.
Ky tregues shënoi një rritje të lehtë krahasuar me muajin paraardhës, me çmimet e konsumit që u rritën me 0.5% në baza mujore. Rritja më e lartë vjetore u regjistrua në grupin “Argëtim, sport dhe kulturë”, i cili u shtrenjtua me 9.7%, duke kontribuar ndjeshëm në nivelin total të inflacionit.
Megjithatë, ndikimin kryesor në rritjen e çmimeve vijon ta ketë grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”, i cili, edhe pse u rrit me 2.3%, dha kontributin më të madh për shkak të peshës së lartë në shportën e konsumit.
Grupe të tjera si “Kujdesi personal”, me 3.3%, dhe “Sigurimet”, me 3.0%, ndikuan gjithashtu në këtë trend rritës, ndërsa sektori i transportit mbeti pothuajse i pandryshuar, me një rritje minimale prej 0.1%.
Krahasuar me vendet e tjera europiane, Shqipëria pozicionohet mbi mesataren e Bashkimit Europian. Me një normë inflacioni prej 2.5%, vendi renditet më poshtë se disa shtete me rritje më të lartë të çmimeve, si Rumania, Islanda, Sllovakia dhe Kroacia, por mbi ekonomi të mëdha si Gjermania, Franca dhe Italia, si dhe vende si Finlanda dhe Suedia.
Normat më të ulëta të inflacionit në Europë për këtë periudhë u regjistruan në Danimarkë dhe Zvicër.
INSTAT bën me dije se, nga shkurti 2026, ka hyrë në fuqi një ndryshim metodologjik, ku llogaritja e indeksit mbështetet në klasifikimin e ri ECOICOP 2018 dhe vitin bazë 2025=100, në përputhje me standardet e Eurostat-it, për të siguruar krahasueshmëri më të saktë ndërkombëtare.
Burimi: Monitor.al

