Që nga dita e djeshme, të gjitha terminalet doganore në kufijtë e Kosovës dhe ato brenda vendit janë shtetërore ose operohen nga shteti.
Kështu ka bërë të ditur ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili tha se pritet që disa prej terminaleve të zgjerohen.
“Nga dje nuk ka më terminale private; të gjitha terminalet janë ose shtetërore, ose operohen nga shteti. Në kuadër të kësaj, kemi paraparë zgjerimin e terminaleve shtetërore; njëri prej tyre është Terminali i Vërmicës”, tha Murati në mbledhjen e Qeverisë, ku u miratua vendimi për shpronësimin e disa pronave që preken nga zgjerimi i këtij terminali.
Kosova ka 12 terminale doganore dhe shumica e tyre, për vite me radhë, kanë qenë të privatizuara. Të hyrat mujore kanë qenë mesatarisht rreth 1.3 milionë euro vetëm nga një terminal.

