Për shkak të mosfunksionimit të skemës për punonjës të huaj, pasi shumë prej tyre e përdorin Shqipërinë si vend tranzit për kalimin në Europë, bizneset në sektorë të ndryshëm janë detyruar të përafrojnë pagat me nivelet e Bashkimit Europian.
Rreth dy vite më parë, gjetja e shoferëve për kamion ishte një nga problematikat më të mprehta të sektorit të transportit të mallrave. Disa kompani, për të mbushur mungesën e fuqisë punëtore, nisën të punësonin shtetas të huaj, ndërsa vendasit emigronin drejt vendeve të BE-së, veçanërisht drejt Gjermanisë për paga më të larta.
Për të zgjidhur këtë situatë, operatorët e transportit të mallrave me kamion kanë rritur pagat nga 30 deri në 50% gjatë dy viteve të fundit.
Sipas përfaqësuesve të sektorit, pagat e shoferëve të kamionëve në Shqipëri tashmë variojnë nga 2,000 deri në 2,500 euro në muaj.
Rritja e pagave është parë si e domosdoshme për të frenuar emigrimin e punonjësve, pasi shumë prej tyre largoheshin për mundësi më të mira jashtë vendit. Ndërkohë, punësimi i të huajve nuk ka dhënë rezultatet e pritshme, pasi një pjesë e tyre e përdorin Shqipërinë si vend kalimi drejt Europës.
Sipas të dhënave krahasuese, në Gjermani paga mesatare për shoferët e kamionëve arrin deri në 4 mijë euro në muaj, në Itali rreth 3 mijë euro, në Greqi rreth 2,100 euro, ndërsa në Maqedoninë e Veriut varion nga 1,300 deri në 2,000 euro.
Dy vite më parë, pagat në Shqipëri ishin ndjeshëm më të ulëta, duke filluar nga 500–600 euro në minimum dhe deri në 1,000–2,000 euro në maksimum.
Mungesa e fuqisë punëtore ka bërë që më parë rreth 25–30% e mjeteve të qëndronin pa punë për shkak të mungesës së shoferëve, ndërsa rritja e pagave ka sjellë edhe kosto më të larta për bizneset.
Vështirësi në gjetjen e punonjësve raportohen edhe nga kompanitë e shpërndarjes së mallrave ushqimore, si dhe në sektorin e transportit të pasagjerëve.
Operatorët e transportit urban përballen gjithashtu me mungesë shoferësh për linjat publike, ku një nga zgjidhjet kryesore ka qenë rritja e pagave. Aktualisht, paga mesatare e një shoferi autobusi ka arritur rreth 90 mijë lekë në muaj, ndërsa ajo e faturinos rreth 75 mijë lekë.
Burimi: Monitor.al
