Ecuria e tregut të punës në Shqipëri për vitin 2025 tregon se, ndërsa ekonomia rritet, vendet e reja të punës po plotësohen kryesisht nga pensionistët. Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se numri mesatar i të punësuarve ishte 4,886 persona më i ulët se në vitin 2024, me një rënie prej 0.4%.
Sipas të dhënave, rritja e vetme pozitive në strukturën e punësimit vjen nga grupmosha mbi 64 vjeç, e cila është rritur me 8.7%, duke shtuar mbi 10 mijë persona të moshuar në tregun e punës brenda një viti. Në të kundërt, numri i të punësuarve në moshën 15–64 vjeç është tkurrur me 15,298 persona krahasuar me vitin 2024.
Nëse pensionistët nuk do të përfshiheshin në këto shifra, punësimi total do të shënonte një rënie shumë më të fortë.
Kjo zhvendosje demografike tregon se popullsia po plaket me ritme të shpejta, duke detyruar tregun e punës të përshtatet me burimet njerëzore që ka në dispozicion. Ndërkohë, të rinjtë e moshës 15–29 vjeç po largohen nga tregu i punës me një rënie vjetore prej 4.3% në vitin 2025, si pasojë e uljes së lindjeve dhe emigracionit të lartë.
Rritja e punësimit te pensionistët, edhe pse po shërben si një zgjidhje e përkohshme për tregun e punës, fsheh pasoja për skemën e sigurimeve shoqërore dhe qëndrueshmërinë fiskale. Raporti mes kontribuuesve dhe përfituesve po përkeqësohet, ndërsa forca aktive e punës po zvogëlohet me mbi 18 mijë persona në vit.
Në afat të shkurtër, punësimi i personave mbi 64 vjeç ndihmon buxhetin, pasi ata vazhdojnë të paguajnë kontribute ndërkohë që marrin pension. Por në afat të gjatë, kjo nuk është një zgjidhje e qëndrueshme, pasi mungon zëvendësimi nga të rinjtë që po emigrojnë.
Mbështetja te pensionistët për të plotësuar vendet bosh të punës tregon se ekonomia po përshtatet me rënien e popullsisë aktive, duke rritur presionin mbi buxhetin e shtetit. Kjo situatë mund të çojë në masa si rritja e moshës së pensionit ose rritja e taksave për ata që mbeten në tregun e punës.
Burimi: Monitor.al
