Bordi i Transparencës ka njoftuar se çmimi i naftës me pakicë nuk do të tregtohet mbi 203 lekë për litër.
Në një reagim, Konfindustria shprehet se mbështet vendimin e qeverisë për vendosjen e çmimeve tavan për karburantet, si në tregtinë me shumicë ashtu edhe në atë me pakicë. Sipas saj, kjo është një ndërhyrje e parë, por e vonuar, në një treg që po përballet me pasojat e krizës ndërkombëtare.
Konfindustria thekson se vendet e rajonit kanë ndërmarrë masa të menjëhershme për të zbutur efektet e krizës së lidhur me zhvillimet në Gjirin Persik, ndërsa çmimet aktuale në Shqipëri janë mbi 8% më të ulëta pas vendosjes së kufirit, çka tregon hapësira të mëdha për spekulim nga operatorët e tregut.
Organizata i kërkon qeverisë që, krahas mbikëqyrjes nga Bordi i Transparencës, të ndërmarrë edhe masa të tjera:
– uljen e barrës fiskale mbi karburantet dhe taksat e automjeteve në nivelin mesatar të rajonit
– krijimin e një Enti Rregullator të Karburanteve si institucion i përhershëm mbikëqyrës
– rishikimin e strukturës së tregut për të shmangur praktikat e tipit kartel dhe oligopol
– ndërtimin e një rafinerie për përpunimin e naftës vendase, me qëllim mbulimin e të paktën 30% të nevojave vjetore të vendit
Konfindustria nënvizon se vetëm përmes këtyre masave mund të sigurohet një treg më i drejtë dhe më i qëndrueshëm për konsumatorët.

