Nga Sebastian Zonja
Ndoqa me vëmendje intervistën e kryeministrit Edi Rama dhe atë të kryeministrit hungarez Viktor Orban. Dolën pak a shumë në të njëjtën kohë të dyja. Ramën e intervistoi një gazetare franceze, Orbanin një podkaster australian. Është interesante se si për shumë çështje mendojnë njësoj, si Rama, si Orbani: Kemi partner SHBA-të, thanë të dy.
Pse e thonë këtë?
Hungarezët kanë parë se si evropianët nuk e lëvizën gishtin kur hynë rusët me tanke gjatë komunizmit. Ne e kemi parë se si vdiqëm për bukë dhe evropianët bënin, tek – tuk, deklarata kundër diktatorit. Thuajse gjithë vendet që kanë vuajtur nga komunizmi e kanë të qartë se nuk mund t’u bëhen mburojë interesave franko-gjermane kundër Rusisë, kur këta të fundit kanë përfituar sa kanë mundur, kurse këta të tjerët veç janë shtypur. E vetmja që ka kapacitet aktualisht për t’i mbrojtur nga kërcënimet ruse është Amerika.
Po sot?
Derisa Evropa të flasë me një zë, SHBA-të mbeten aktori i vetëm i besueshëm për shqiptarët në Ballkan. Që Evropa të flasë me një zë do të duhen dekada. Interesat gjermane dhe ato portugeze nuk janë të njëjta. Interesat franceze dhe ato italiane nuk janë të njëjta. Interesat spanjolle dhe ato belge nuk janë të njëjta. Derisa t’i kalibrojnë këto interesa do duhen dekada. Deri atëherë është e qartë se orientimi i shqiptarëve është thellësisht proamerikan.
Pse përputhen interesat?
Që në krye të herës, konflikti në Ballkan është për dy linja: Selanik – Danub dhe Durrës – Burgas. Evropianët ka 1 shekull e gjysmë që favorizojnë linjën tregtare Selanik – Beograd. Ndërkohë, të vetmit që kanë favorizuar korridorin tjetër që fuqizon ekonomikisht edhe shqiptarët është Amerika dhe Turqia, deri diku edhe Gjermania.
Rëndësia e kësaj linje është kthyer pas pavarësisë së Kosovës. Ndërkohë, teksa me Kosovën kemi bërë aleancë me Kroacinë, nuk kemi aleancë me Bullgarinë, edhe ky anëtar në NATO dhe në BE. Faktori kyç për këtë linjë kaq të rëndësishme tregtare dhe ushtarake janë shqiptarët e Maqedonisë. Prandaj, me një largpamësi të mahnitshme, Tirana dhe Kosova e kanë lënë jetim faktorin shqiptar atje sepse nuk flasin dot me një zë për interesa madhore.
Publiku i merr me mend më së miri arsyet.

