Një javë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për çështjen e zgjedhjes së presidentit, partitë parlamentare ende nuk kanë bërë hapa konkretë për zgjidhjen e ngërçit politik.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës ka edhe 27 ditë afat për ta zgjedhur presidentin. Nëse kjo nuk ndodh brenda këtij afati, vendi mund të shkojë automatikisht në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.
Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar se do t’i ftojë në takim liderët e partive opozitare për të diskutuar rreth kësaj çështjeje, por më parë ka theksuar se do të zhvillojë konsultime të brendshme në parti.
Ndërkohë, partitë opozitare kanë deklaruar se po presin ftesën nga Lëvizja Vetëvendosje për të marrë pjesë në takime dhe për të diskutuar mundësinë e një zgjidhjeje politike.
Nga Partia Demokratike e Kosovës kanë thënë se do të japin qëndrimin e tyre pasi të marrin ftesën zyrtare. Nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë theksuar se janë të gatshëm edhe për zgjedhje, nëse nuk arrihet marrëveshje, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës shprehet skeptike për gatishmërinë e pushtetit për kompromis.
Situata politike u komplikua pasi Vjosa Osmani kishte dekretuar shpërndarjen e Kuvendit pas dështimit të zgjedhjes së presidentit, por më pas Gjykata Kushtetuese vendosi se ky dekret nuk kishte prodhuar efekt juridik.
Aktualisht, partia në pushtet nuk i ka votat e mjaftueshme për ta zgjedhur e vetme presidentin, pasi për këtë proces kërkohen të paktën 80 deputetë të pranishëm dhe dy të tretat e votave në dy raundet e para, ndërsa në raundin e tretë nevojiten 61 vota.
Presidenti i ri duhet të zgjidhet deri më 28 prill; përndryshe, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
