Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar se ushtria amerikane ende “nuk ka filluar mirë” operacionet kundër Iranit, pavarësisht një muaji bombardimesh intensive. Ai paralajmëroi se objektiva të tjerë strategjikë, përfshirë ura dhe centrale elektrike, mund të jenë në shënjestër të sulmeve të ardhshme.
Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump deklaroi se ushtria amerikane, të cilën e cilësoi si më të fuqishmen në botë, është gati të intensifikojë goditjet nëse udhëheqja iraniane nuk vepron shpejt.
“Ushtria jonë, më e madhja dhe më e fuqishmja në botë, ende nuk ka filluar ta shkatërrojë atë që ka mbetur në Iran. Tani është radha e urave, pastaj e centraleve elektrike. Udhëheqja e re e regjimit e di se çfarë duhet të bëjë dhe duhet ta bëjë shpejt”, shkroi ai.
Këto deklarata erdhën disa orë pasi Irani ndërmori sulme të reja me raketa dhe dronë ndaj Izraelit dhe disa shteteve të Gjirit. Më herët, Trump kishte paralajmëruar Teheranin që të arrinte një marrëveshje “para se të mos mbetej asgjë” nga vendi.
Presidenti amerikan dha mesazhe të përziera për ecurinë e luftës, pasi një ditë më parë deklaroi, në një fjalim televiziv, se SHBA-ja është pranë “përfundimit të punës” kundër Iranit. Megjithatë, ai theksoi se sulmet mund të vazhdojnë edhe për dy deri në tre javë të tjera.
Në një tjetër postim, Trump përshëndeti sulmin amerikan mbi një urë të madhe që lidh Teheranin me Karaxhin, në provincën Alborz, duke shkruar se “ura më e madhe në Iran u shemb dhe nuk do të përdoret më kurrë”.
Sipas zyrtarëve iranianë, nga sulmet mbi këtë urë u vranë tetë persona dhe 95 të tjerë u plagosën, megjithëse këto shifra nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.
Autoritetet iraniane raportuan gjithashtu se Instituti Pasteur i Iranit ka pësuar dëme nga një sulm, ndërsa qeveria publikoi fotografi që pretendohet se tregojnë shkatërrimet.
Ndërkohë, kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, reagoi me një mesazh sfidues në rrjetet sociale, duke deklaruar se iranianët janë të gatshëm të sakrifikojnë për mbrojtjen e vendit të tyre.

