Seanca gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, është shoqëruar me debate mes avokatëve dhe përfaqësuesve të akuzës, lidhur me të drejtën për t’u njohur me dosjen dhe përgatitjen e mbrojtjes.
Avokati Maks Haxhia kërkoi sqarime nëse përfaqësuesja ligjore e caktuar është njohur me materialet e çështjes, duke theksuar se respektimi i procesit të rregullt ligjor është thelbësor për një gjykim të drejtë.
Nga ana e tij, prokurori Ols Dado reagoi, duke theksuar se Haxhia, në këtë proces, merr pjesë si avokat dhe jo në cilësinë e kryetarit të Dhomës së Avokatisë. Gjykata ndërhyri, duke sqaruar se ai është legjitimuar si mbrojtës i njërit prej të pandehurve, konkretisht i Ajola Xoxës, dhe se kërkesat duhet të lidhen me këtë rol në proces.
Ndërkohë, avokati Plarent Ndreca kërkoi një afat prej dy javësh për t’u njohur me të gjitha aktet e dosjes dhe për të përgatitur mbrojtjen. Ai theksoi se çdo nxitim i pajustifikuar mund të dëmtojë procesin dhe shtoi se çështja ka interes të lartë publik për shkak të funksionit të Veliajt si kryebashkiak i zgjedhur disa herë nga qytetarët.
Në të njëjtën seancë, i pandehuri Elman Abule kërkoi ndarjen e çështjes së tij dhe gjykim të shkurtuar, duke deklaruar në sallën e gjyqit se i qëndron kërkesës së paraqitur nga avokatja e tij.
Ndërsa përfaqësuesi ligjor i Mirton Likës dhe i shoqërisë “Lal” sh.p.k., Dritan Jahaj, ngriti çështjen e kompetencës së gjykatës, duke pretenduar se kjo çështje duhet të trajtohet nga një gjykatë tjetër.
Gjykata pritet të shqyrtojë kërkesat e palëve dhe të vendosë mbi afatet dhe procedurat që do të ndiqen në vijim të procesit gjyqësor.
