Prokuroria Speciale e Kosovës ka hedhur poshtë kallëzimin penal të paraqitur nga Lidhja Demokratike e Kosovës kundër ish-ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, lidhur me dyshimet për keqpërdorim të granteve në bujqësi.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Peci, përmes një reagimi në rrjetet sociale, ku ka theksuar se, gjatë kohës sa drejtonte ministrinë, nuk është kërkuar apo marrë “haraç” për përfitimin e granteve dhe se nuk ka pasur përfitime jashtë kritereve të përcaktuara me ligj.
Sipas tij, hetimet nuk kanë gjetur asnjë provë që ai të ketë ndikuar në përfitimin e vëllait të ish-deputetes, Fitore Pacolli, nga subvencionet e ministrisë.
Kallëzimi penal ishte dorëzuar më herët nga ish-deputeti i LDK-së, Paris Guri, i cili kishte pretenduar se vëllai i Pacollit kishte përfituar grante nga Ministria e Bujqësisë.
Pas vendimit të prokurorisë, Peci ka paralajmëruar se do të ndërmarrë veprime ligjore ndaj zyrtarëve të LDK-së, duke përfshirë Gurin, kryetarin e partisë, Lumir Abdixhiku, dhe deputeten, Hykmete Bajrami, për kallëzim të rremë penal dhe shpifje.
Ish-ministri ka theksuar se në asnjë rast nuk ka rekomanduar individë për përfitimin e subvencioneve apo granteve dhe ka mohuar çdo pretendim për keqpërdorime gjatë mandatit të tij në krye të Ministrisë së Bujqësisë.
