Apeli i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shqyrtuar sot ankimimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku ndaj masës së sigurisë “pezullim nga detyra”.
Në përfundim të seancës, gjykata vendosi të lërë në fuqi masën ndaj ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke rrëzuar kërkesën e saj për ndryshimin e vendimit.
Balluku kishte ankimuar vendimin e dhënë nga GJKKO më 22 nëntor, me të cilin ndaj saj u caktuan dy masa sigurie: pezullimi i ushtrimit të detyrës dhe ndalimi i daljes jashtë vendit. Masat janë marrë në kuadër të hetimeve për dyshime për shkelje të barazisë në tenderë.
Pak ditë pas këtij vendimi, qeveria iu drejtua Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë me një kërkesë lidhur me pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres.
