Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar pezullimin e përkohshëm të sulmeve ushtarake ndaj Iranit për një periudhë dyjavore, duke hapur rrugën për negociata që synojnë arritjen e një marrëveshjeje më të gjerë paqeje.
Në një deklaratë të publikuar në platformën Truth Social, Trump tha se vendimi u mor pas bisedimeve me kryeministrin e Pakistanit, Shehbaz Sharif, si dhe me shefin e ushtrisë pakistaneze, Asim Munir.
Sipas tij, pezullimi i bombardimeve lidhet edhe me kushtin që Irani të hapë menjëherë dhe në mënyrë të sigurt Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme për transportin global të naftës.
Trump theksoi se Shtetet e Bashkuara kanë përmbushur objektivat e tyre ushtarake dhe se aktualisht palët janë pranë arritjes së një marrëveshjeje për paqe afatgjatë në rajon. Ai bëri të ditur gjithashtu se pala iraniane ka paraqitur një plan me 10 pika, i cili sipas tij mund të shërbejë si bazë për negociatat.
Sipas presidentit amerikan, periudha dyjavore e armëpushimit do t’u japë kohë palëve që të finalizojnë marrëveshjen, e cila mund të ndikojë jo vetëm në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, por edhe në stabilitetin e gjithë rajonit të Lindjes së Mesme.
