Prej të paktën tre vitesh, Shqipëria po e humb garën rajonale për rritjen e pagave. Ndërsa qeveria vijon të mburret me rritjen ekonomike, kjo rritje në praktikë ka ardhur kryesisht nga zgjerimi i administratës publike dhe nga taksat neto, ndërsa sektorët realë të ekonomisë kanë kontribuar më pak. Përjashtim bëjnë ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme, që mbeten sektorët më aktivë.

Strategjia e qeverisë për të rritur pagën mesatare përmes shtimit të pagave në administratën publike nuk duket të ketë dhënë rezultatet e pritshme, pasi vendet e rajonit po ecin më shpejt në rritjen e të ardhurave të qytetarëve të tyre.

Edhe në vitin 2025, paga mesatare mujore bruto në Serbi, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë ishte 30-50% më e lartë sesa në Shqipëri, sipas të dhënave të përpunuara nga “Monitor”, bazuar në statistikat zyrtare të këtyre vendeve. Përjashtim bën vetëm Kosova, e cila ende nuk ka publikuar të dhënat për vitin 2025 dhe që në statistikat e fundit kishte pagë mesatare më të ulët se Shqipëria.

Sipas INSTAT, paga mesatare mujore bruto në Shqipëri në vitin 2025 arriti në 84 mijë lekë, me një rritje prej 10.3% krahasuar me vitin 2024. E konvertuar në euro, paga mesatare mujore ishte rreth 860 euro. Megjithatë, edhe me këtë rritje dhe me efektin pozitiv të kursit të këmbimit, Shqipëria mbetet ndër vendet me pagat më të ulëta në rajon.

Serbia kryeson rajonin

Paga më e lartë në rajon në vitin 2025 u regjistrua në Serbi, ku paga mesatare mujore bruto arriti në rreth 151 mijë dinarë, ose rreth 1290 euro. Sipas Institutit të Statistikave të Serbisë, pagat u rritën me 21.7% gjatë vitit të kaluar.

Kjo do të thotë se një punonjës në Serbi merr mesatarisht rreth 430 euro më shumë në muaj se një punonjës në Shqipëri, ose rreth 50% më tepër.

Bosnja dhe Mali i Zi mbi Shqipërinë

Në vend të dytë renditet Bosnje-Hercegovina, ku paga mesatare mujore bruto në vitin 2025 ishte 2437 marka, ose rreth 1245 euro, me një rritje prej 13.2%.

Në Mal të Zi paga mesatare mujore bruto arriti në 1206 euro, me një rritje prej 11.4%. Punonjësit në këtë vend marrin mesatarisht rreth 346 euro më shumë në muaj se shqiptarët.

Edhe Maqedonia e Veriut paguan më shumë

Në Maqedoninë e Veriut, paga mesatare mujore bruto në vitin 2025 arriti në rreth 68 mijë denarë, ose rreth 1100 euro, me një rritje prej 10%. Edhe pse ritmi i rritjes ishte më i ulëti në rajon, një punonjës maqedonas merr mesatarisht rreth 240 euro më shumë në muaj se një shqiptar.

Ndërkohë, në Kosovë të dhënat më të fundit janë për vitin 2024, ku paga mesatare mujore bruto ishte 639 euro.

Rritje ekonomike në letër, por jo në mirëqenie

Megjithëse Shqipëria paraqet tregues makroekonomikë relativisht pozitivë dhe një rritje ekonomike të qëndrueshme në letër, kjo rritje nuk ka ardhur nga rritja e produktivitetit apo nga sektorë që krijojnë vlerë të shtuar afatgjatë.

Rritja është mbështetur kryesisht te administrata publike dhe sektori i ndërtimit, të cilët kanë efekt të menjëhershëm në statistika, por nuk rrisin domosdoshmërisht konkurrueshmërinë e ekonomisë.

Si pasojë, qytetarët shqiptarë përballen me çmime ushqimesh ndër më të lartat në rajon, ndërsa të ardhurat mbeten ndër më të ulëtat. Kjo ka bërë që shumë shqiptarë të orientohen drejt blerjeve jashtë vendit, si për karburantet ashtu edhe për produkte ushqimore dhe mallra të tjera.

Kjo situatë sjell më pak konsum brenda vendit, më pak xhiro për bizneset dhe më pak të ardhura fiskale për buxhetin e shtetit, duke krijuar një rreth vicioz ku rritja ekonomike nuk përkthehet në mirëqenie më të lartë për qytetarët.

Burimi: Monitor.al

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *