Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka mbrojtur aktivitetin e portit të kompanisë MBM në Porto Romano gjatë seancës plenare në Kuvend, duke kundërshtuar kritikat e opozitës për mungesë kapacitetesh në sektorin portual.
Gjatë debatit në Parlament, Balla kritikoi tonet e opozitës, duke i krahasuar me diskursin e dikurshëm të “luftës së klasave”. Ai iu drejtua deputetit të Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, duke thënë se gjuha e përdorur në debat i ngjan retorikës së viteve të kaluara.
Sipas Ballës, sulmet ndaj biznesit janë të pajustifikuara, pasi kompanitë kontribuojnë në buxhetin e shtetit përmes taksave që paguajnë.
“Përmendim këtu emra biznesmenësh të cilët paguajnë taksat… me një pjesë të taksave të tyre paguhet edhe paga jote”, deklaroi ai.
Duke iu referuar konkretisht portit të kompanisë MBM në Porto Romano, Balla theksoi se ai ka ende kapacitete të pashfrytëzuara.
“Ai port sot ka vetëm 20 për qind të kapacitetit të vet të zënë dhe ka hapësirë”, u shpreh ai.
Ai hodhi poshtë shqetësimet e opozitës për mungesë kapacitetesh, duke garantuar se qeveria ka planifikuar si duhet sektorin e transportit detar në vend.
Në fund të fjalës së tij, Balla e cilësoi portin e MBM si një nga asetet më të rëndësishme strategjike në rajon, duke shtuar se ai përfaqëson një nga portet me kapacitetet më të mëdha punuese në detin Adriatik.

