TIRANË – Autoritetet shqiptare kanë paralajmëruar qytetarët për një valë të re mesazhesh mashtruese që po qarkullojnë nëpërmjet SMS-ve dhe që përdorin emrin e Postës Shqiptare për të mashtruar përdoruesit.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit njoftoi më 6 prill se qytetarët duhet të tregojnë kujdes ndaj mesazheve që pretendojnë se lidhen me pako postare të padorëzuara dhe që përmbajnë lidhje për të kryer pagesa ose për të dhënë të dhëna personale.
Edhe Posta Shqiptare reagoi me një deklaratë zyrtare, duke sqaruar se këto mesazhe nuk kanë asnjë lidhje me shërbimet e saj zyrtare.
“Posta Shqiptare informon opinionin publik se ditët e fundit po qarkullojnë mesazhe mashtruese (SMS) që përdorin në mënyrë të paligjshme emrin e institucionit tonë, me qëllim mashtrimin e qytetarëve dhe përfitimin e të dhënave të tyre personale apo bankare”, thuhet në njoftim.
Ky fenomen nuk është i ri. Institucioni i Postës Shqiptare është bërë disa herë më parë objekt i fushatave të tilla mashtruese, të cilat synojnë të mashtrojnë qytetarët përmes mesazheve që duken të besueshme.
Ekspertët e sigurisë digjitale e quajnë këtë lloj sulmi “smishing”, një formë mashtrimi që përdor mesazhe telefonike për të “peshkuar” të dhëna personale apo bankare përmes lidhjeve të bashkëngjitura në mesazh.
Pasi përdoruesit klikojnë në këto lidhje, atyre u kërkohet të vendosin të dhënat e kartave bankare ose informacione të tjera personale.
Sipas Orkidea Xhaferaj, hulumtuese dhe drejtuese e Departamentit të Politikave Digjitale dhe Inovacionit pranë SCiDEV, këto sulme zakonisht vijnë nga aktorë të paidentifikuar dhe kanë për qëllim përfitimin financiar ose vjedhjen e identitetit.
“Rreziqet e këtyre sulmeve janë të shumta, si humbje financiare për viktimën, vjedhje e të dhënave dhe identitetit, komprometim i llogarive personale dhe në disa raste instalim i viruseve në pajisjen e viktimës”, tha Xhaferaj.
Sipas saj, Posta Shqiptare shpesh bëhet objekt i këtyre mashtrimeve për shkak të numrit të madh të qytetarëve që përdorin shërbimet postare dhe faktit që shumë prej tyre presin pako në një moment të caktuar.
“Probabiliteti që dikush të jetë në pritje të një pakete e bën mesazhin mashtrues më të besueshëm”, theksoi ajo.
Ekspertët nënvizojnë se suksesi i këtyre sulmeve lidhet edhe me mungesën e njohurive digjitale tek një pjesë e qytetarëve, çka rrit rrezikun e mashtrimit.
Për të parandaluar raste të tilla, Posta Shqiptare thekson se nuk kërkon kurrë të dhëna personale apo bankare përmes SMS-ve ose lidhjeve të dyshimta dhe se komunikimet zyrtare bëhen vetëm përmes kanaleve të verifikuara të faqes së saj zyrtare.
Institucioni gjithashtu ka bërë të ditur se çdo rast i keqpërdorimit të emrit të tij po ndiqet dhe po denoncohet pranë autoriteteve ligjzbatuese.
Burimi: BIRN
