SPAK ka kërkuar dënimin me 10 vite burg për ish-kreun e ARRSH-së, Ervis Berberi, i akuzuar për disa vepra penale, përfshirë shpërdorim detyre, korrupsion pasiv, shkelje të barazisë në tendera dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Sipas raportimit të gazetares Klodiana Lala, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar pritet të ulet me një të tretën.
Përveç dënimit me burg, organi i akuzës ka kërkuar edhe ndalimin e Berberit nga ushtrimi i funksioneve publike për një periudhë 5-vjeçare.
Gjithashtu, Prokuroria ka kërkuar konfiskimin e pasurive të gjetura në zotërim të tij, përfshirë 15 mijë euro, 35 mijë paund dhe 1 milion lekë të rinj, si dhe pasuri të tjera që dyshohet se lidhen me aktivitetin e paligjshëm.

