Shqiptarët po blejnë patate më cilësore dhe më të lira se vitet e fundit, një situatë e pazakontë për tregun vendas. Aktualisht, në tregjet e pakicës në Tiranë, patatet shiten rreth 60 lekë për kilogram, ndërsa një vit më parë çmimi i tyre ishte mbi 100 lekë.
Sipas të dhënave të INSTAT, në shkurt 2026 çmimi mesatar i patates ishte 77.9 lekë për kg, rreth 22% më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rënia e çmimeve lidhet drejtpërdrejt me rritjen e importeve, sidomos nga Gjermania, të cilat po ndikojnë fort në treg dhe po vendosin presion mbi prodhimin vendas. Vetëm në dy muajt e parë të vitit 2026, importet e patates u rritën me 65.5%, duke kaluar mbi 5 milionë kilogramë.
Çmimi i ulët i importit, rreth 49.9 lekë për kilogram, ka sjellë një presion të fortë në uljen e çmimeve në tregun vendas. Kjo ka ndihmuar buxhetet familjare, por ka vështirësuar ndjeshëm konkurrencën për fermerët shqiptarë.
Të dhënat tregojnë se çmimi i patates së importuar nga Gjermania ka rënë vazhdimisht, nga rreth 67.7 lekë në vitin 2024 në më pak se 50 lekë në vitin 2026, duke e bërë prodhimin vendas pothuajse të pafavorshëm në aspektin e kostos.
Sipas FAOSTAT, një shqiptar konsumon mesatarisht rreth 52 kilogramë patate në vit, më pak se mesatarja e Bashkimit Evropian që kalon 80 kg, por sërish mbetet një produkt bazë ushqimor.
Rritja e importeve lidhet me mbiprodhimin në Gjermani. Në vitin 2025, prodhimi arriti në rreth 13.9 milionë tonë, një nga nivelet më të larta në 25 vitet e fundit. Kushtet e favorshme klimatike rritën rendimentin në rreth 46 tonë për hektar, duke krijuar teprica të mëdha në treg.
Si pasojë, çmimet në tregjet evropiane ranë ndjeshëm dhe fermerët u detyruan të shesin me çmime minimale, madje në disa raste t’i shpërndajnë falas ose t’i përdorin për qëllime të tjera si ushqim për kafshë apo bio-energji.
Ky presion për të zbrazur depot para sezonit të ri të mbjelljeve ka shtuar eksportet drejt vendeve të Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, duke rritur konkurrencën dhe duke vënë në vështirësi prodhuesit vendas, të cilët përballen me kosto më të larta dhe mungesë subvencionesh.
Burimi: Monitor.al
https://monitor.al/patatja-gjermane-pushton-tregun-shqiptar-cmimet-bien-me-22/

