Bashkimi Evropian pritet të prezantojë një paketë të re masash për të përballuar rrezikun e një krize energjetike, duke synuar uljen e taksave për energjinë elektrike dhe menaxhimin më të koordinuar të rezervave të gazit.
Sipas draft-propozimeve të siguruara nga Reuters, institucionet evropiane do të shmangin ndërhyrjet drastike në treg, si vendosja e tavaneve për çmimet e gazit apo taksimi i fitimeve të jashtëzakonshme të kompanive energjetike – masa të përdorura gjatë krizës së vitit 2022, pas ndërprerjes së furnizimeve nga Rusia.
Në vend të kësaj, Komisioni Evropian synon të lehtësojë rregullat tatimore për të favorizuar energjinë elektrike ndaj karburanteve fosile, si nafta dhe gazi. Një nga propozimet kryesore është që qeveritë të kenë mundësi të ulin taksat për energjinë elektrike për industrinë deri në zero.
Paralelisht, Brukseli do të koordinojë mbushjen e rezervave të gazit gjatë muajve të verës dhe do të japë udhëzime për menaxhimin e mundshëm të mungesave të karburantit për avionët.
Alarmi për krizë është rritur pas zhvillimeve në Lindjen e Mesme, përfshirë tensionet që kanë prekur Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët kryesore të transportit të energjisë në botë. Si pasojë, çmimi i gazit në Evropë është rritur ndjeshëm krahasuar me periudhën para konfliktit SHBA–Izrael me Iranin.
Megjithatë, furnizuesit kryesorë të BE-së, si SHBA dhe Norvegjia, mbeten jashtë zonës së konfliktit, duke shmangur për momentin mungesa serioze. Pavarësisht kësaj, linjat ajrore kanë paralajmëruar se mungesa e karburantit për avionët mund të shfaqet brenda pak javësh.
