Prokuroria e Tiranës ka marrë në pyetje pesë të mitur lidhur me zjarrin që përfshiu një pallat pranë QSUT-së. Sipas kamerave të sigurisë, ata shfaqen duke hedhur mbeturina në një karrocë, e cila dyshohet se ka qenë vatra e zjarrit.
Të miturit, banorë të kompleksit ku ndodhi ngjarja, janë pyetur në prani të psikologëve dhe prindërve. Ata kanë deklaruar se veprimet nuk kanë qenë të qëllimshme dhe se pranë një kondicioneri ndodhej një karrocë me mbeturina dhe një objekt i djegshëm, pa qenë të vetëdijshëm për rrezikun që mund të shkaktonin.
Prokurori i çështjes ka urdhëruar kryerjen e veprimeve të tjera hetimore në vendngjarje, si dhe marrjen në pyetje të personave të tjerë që mund të kenë dijeni për rrethanat.
Ndërkohë, katër shtetas janë proceduar për shkelje të rregullave të mbrojtjes nga zjarri. Gjykata ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
