Pastrimi i parave dhe narkoekonomia po deformojnë ekonominë shqiptare dhe përbëjnë rrezik edhe për Evropën. Ky ishte paralajmërimi i deputetes Albana Vokshi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg.
Gjatë fjalës së saj, ajo theksoi se vetëm 1–2% e aseteve kriminale konfiskohen, ndërsa rrjetet e pastrimit të parave po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara dhe ndërkombëtare. Vokshi vuri në dukje sektorin e ndërtimit si një nga më problematikët në Shqipëri, ku investimet e mëdha shpesh nuk justifikohen nga kreditimi bankar dhe kërkesa reale në treg.
Sipas saj, pasojat janë të drejtpërdrejta në ekonomi, duke ndikuar në dobësimin e eksporteve, rritjen e pabarazisë dhe emigrimit. Deputetja theksoi se paratë e pista nuk mbeten brenda kufijve, por qarkullojnë në Evropë, duke shtrembëruar tregun dhe konkurrencën, ndërsa kërkoi forcimin urgjent të mekanizmave për ndjekjen dhe konfiskimin e aseteve kriminale.
