PRISHTINË – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se vendi mund të kishte tashmë një president të ri nga radhët e opozitës, nëse do të kishte pasur vullnet politik për marrëveshje.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Kurti theksoi se Lëvizja Vetëvendosje u kishte ofruar PDK-së dhe LDK-së mundësinë për të propozuar tre kandidatë për postin e presidentit, duke garantuar mbështetjen për zgjedhjen e njërit prej tyre.
Sipas tij, kjo ishte një mundësi reale për të arritur një figurë konsensuale dhe jashtë përplasjeve politike, por që u refuzua nga opozita.
“Sot opozita ka mundur ta ketë presidentin e vet. Ne kemi qenë të gatshëm të garantojmë zgjedhjen e njërit prej kandidatëve të tyre, por mungoi vullneti”, u shpreh Kurti.
Ai shtoi se kandidatët e propozuar duhej të ishin figura unifikuese, me integritet të lartë dhe jashtë skenës aktuale politike, ndërsa theksoi se mazhoranca ishte e gatshme të tërhiqte emrat e saj për t’i hapur rrugë një zgjidhjeje të përbashkët.
Ndërkohë, procesi për zgjedhjen e presidentit mbetet në ngërç, ndërsa afati kushtetues po shkon drejt fundit.
