Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë shqiptare, duke pretenduar se Tirana zyrtare ka informuar Serbinë për zhvillime që lidhen me Kosovën dhe aleancën ushtarake me Kroacinë.
Nga foltorja e Kuvendit, Shehu kërkoi që Rama të paraqitet në Komisionin e Jashtëm për të dhënë shpjegime lidhur me deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe marrëdhënien e tij me kryeministrin shqiptar.
Sipas deputetit demokrat, Vuçiç ka deklaruar se Serbia është informuar nga Tirana për aleancën ushtarake Kroaci–Shqipëri–Kosovë, ndërsa shtoi se ekziston një diferencë e madhe mes qëndrimit të Prishtinës dhe Tiranës ndaj kësaj çështjeje.
Shehu akuzoi mazhorancën për shmangie të debatit dhe tha se çështja ka rëndësi kombëtare, duke këmbëngulur që kryeministri të japë llogari publikisht për raportet dhe komunikimet me presidentin serb.

