Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, është përplasur në Kuvend me drejtuesin e seancës, Niko Peleshi, pas refuzimit të kërkesës së tij për të marrë fjalën lidhur me dy interpelanca të rrëzuara më herët, një për AKSHI-n dhe një për Air Albania.
Shehaj kërkoi 10 minuta kohë për të folur, duke theksuar se kërkesa e tij bazohej në Rregulloren e Kuvendit dhe se i ishte mohuar e drejta për t’u shprehur mbi çështjen.
Peleshi, nga ana e tij, u shpreh se procedura nuk ishte ndjekur në afatin e duhur, duke argumentuar se kërkesa duhej bërë menjëherë pas përgjigjes negative dhe jo në një seancë të mëvonshme.
Debati u tensionua më tej, me Shehajn që akuzoi drejtuesit e Kuvendit për shkelje të rregullores dhe përpjekje për t’i kufizuar të drejtën e fjalës në sallën plenare.

