Në Gjykatën e Posaçme zhvillohet sot seanca e dytë e gjyqit në themel ndaj kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili përballet me akuza për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Në paraqitjen e fundit në sallën e gjyqit, Meta hodhi akuza të forta ndaj sistemit të drejtësisë, duke e cilësuar procesin si “të turpshëm” dhe të ndërtuar mbi “shpifje dhe kallëzime të rreme”. Ai kërkoi që çdo seancë të transmetohet drejtpërdrejt për publikun.
Ish-presidenti u shfaq për herë të parë publikisht pas arrestimit të tetorit 2024, ndërsa deklaroi se transparenca dhe llogaridhënia duhet të vlejnë për çdo institucion. Ai u bëri thirrje mediave ta ndjekin nga afër të gjithë procesin gjyqësor.
Meta vijon të mbahet në paraburgim dhe pritet që seanca e sotme të shoqërohet me debate mbi vijimin e procesit dhe kërkesat e mbrojtjes së tij.
