Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë të dhënë për prestigjozen britanike “The Guardian” foli për situatën e tensionuar në veri të vendit. Kurti theksoi se qeveria e tij është e gatshme të lejojë praninë e barrikadave në rrugë për një kohë të pacaktuar pasi heqja e tyre e menjëhershme mund të përshkallëzonte ndjeshëm situatën e madje mund të çonte deri në viktima.

“Shqetësimi ynë është se heqja e këtyre barrikadave nuk mund të përjashtojë viktimat. Dhe kjo është arsyeja pse ne duam të jemi sa më të kujdesshëm për t’u siguruar që nuk do të ketë destabilizim dhe se paqja e siguria do të jenë të qëndrueshme. Megjithatë, këtë shkelje të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë nuk mund ta lejojmë përjetë. Kjo duhet të përfundojë sa më shpejt, aq më mirë.”- u shpreh Kurti.

Kreu i ekzekutivit të Kosovës shtoi po ashtu se SHBA-të dhe BE-ja janë pajtuar për nevojën e largimit të barrikadave të ngritura nga serbët, por ata ashtu si qeveria e Kosovës, janë të shqetësuar se Beogradi mund të përdorë në favor të tij çdo përpjekje për t’i larguar me forcë këto barrikada.

Albin Kurti akuzoi Rusinë si orkestruese të trazirave në veriun e Kosovës, pasi sipas tij, Vladimir Putin po dështon në Ukrainë dhe kësisoj i nevojitet një vatër e re konflikti për të shmangur vëmendjen nga fronti ukrainas.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *