Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mbajtur të shtunën një tubim me mërgimtarë në Zvicër, ku ka përsëritur mesazhin e tij kryesor se kontributi për çlirimin e Kosovës nuk mund të shërbejë si justifikim për korrupsion dhe pasurim personal.
“Kemi respekt për të gjithë ata që sakrifikuan e kontribuan për çlirimin e Kosovës. Mirëpo, çfarëdo kontributi, çfarëdo sakrifice që ka bërë cilido prej nesh nuk është leje për korrupsion e për pasurim”, deklaroi Kurti para mërgimtarëve.
Kurti theksoi se patriotizmi dhe korrupsioni nuk mund të bashkëjetojnë, duke përdorur gjuhë të drejtpërdrejtë. “Nuk ka edhe patriot edhe hajn. Ose patriot, ose hajn. Nuk ka edhe çlirimtar, edhe zullumqar. Ose çlirimtar, ose zullumqar”, u shpreh ai.
Pa përmendur emra, Kurti kritikoi ish-udhëheqës politikë të pasluftës, duke thënë se “pushimi” nga angazhimi patriotik është shndërruar në korrupsion. “Patriotizmi është punë pa pushim. Në këto vitet e pas luftës kemi shembuj të dikujt që ka qenë patriot, po pastaj tha po pushoj pak — e ju e dini çka i bie pushimi, pushimi i bie korrupsion”, tha ai.
