Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj pakos së miratuar nga Qeveria në detyrë, duke e cilësuar ndarjen e 100 eurove për kategori të ndryshme dhe rritjen e shtesave për lehona si blerje votash në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit.
“Kjo nuk është pako e inflacionit. Kjo është pako e tentimit për blerje vote. Një përpjekje e vonshme për të mbuluar dështimin qeverisës me paranë e vet qytetarëve. Një ofendim zgjedhor për dinjitetin dhe nevojat reale të njerëzve të vendit”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Kryetari i LDK-së ka theksuar se Vetëvendosje po përdor çdo mjet të mundshëm për të qëndruar në pushtet, duke shtuar se qytetarëve u duhet mirëqenia si politikë e përhershme shtetërore — jo si favor elektoral të shpërndara ditë para zgjedhjeve.
“Blerje votash, propagandë, fyerje, ofendime, kriza të njëpasnjëshme. Çdo mjet i mundshëm për të qëndruar me çdo çmim në pushtet. Asnjë ide. Asnjë projekt. Asnjë punë. Të parafundit!”, ka shkruar ai.
Qeveria në detyrë kishte miratuar më herët pakon e dytë anti-inflacion, duke ndarë nga 100 euro për pensionistët, fëmijët, punonjësit e sektorit jopublik dhe studentët, si dhe duke rritur shtesat për lehona nga 325 në 500 euro në muaj.
