Ish-ministrja socialiste Ermelinda Meksi i është bashkuar reagimeve për protestën e Zvërnecit, duke kritikuar qeverinë dhe duke kujtuar angazhimet ndërkombëtare që Shqipëria ka marrë përsipër për transparencë dhe pjesëmarrje publike në vendimmarrje.
Meksi thekson se Shqipëria ka nënshkruar Konventën e Aarhusit në vitin 1998 dhe e ka ratifikuar atë në vitin 2000, duke u bërë ndër vendet e para që përqafoi këtë standard europian. Sipas kësaj konvente, qytetarët kanë të drejtën e informimit, të drejtën për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe të drejtën për t’iu drejtuar drejtësisë kur këto të drejta cenohen.
“Konventa e Aarhusit na kujton se qytetarët nuk janë spektatorë kur merren vendime që prekin mjedisin dhe pasuritë natyrore të vendit. Ata kanë të drejtë të informohen, të dëgjohen dhe të marrin pjesë në proces”, shkroi Meksi.
Ish-ministrja theksoi se shqetësimet e ngritura nga qytetarët duhen parë si pjesë e një procesi normal demokratik, duke shtuar se në një vend që synon anëtarësimin në BE, konsultimi publik dhe transparenca nuk janë zgjedhje politike, por standarde që burojnë nga angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë.
