Gjashtë qasje për ”Revolucionin Flamingo”

Nga Sebastian Zonja

Në qytet po zhvillohet një ngjarje. Aktorët dhe faktorët janë qytetarët. Mijëra, prej 31 majit, dalin në protestë duke kërkuar llogari se si po zhvillohet vendi. Larushia e grupimeve shoqërore, shumatorja e kërkesave, masiviteti i tubimit, apeli i qytetarëve kanë marrë vëmendjen kryesore.

Konspiracioni

Kërkesa kryesore dhe e menjëhershme e shumë spektatorëve të protestës qytetare është se kush e organizon? Shumica e atyre që pyesin për organizatorin nuk shkojnë në protestë. Gjithnjë ka një skenar, një dorë, një përfitim, që nga lashtësia e mjegullt e epit të Gilgameshit, sipas tyre.

Filozofikisht, tentativa për të kërkuar gjithnjë dorën e padukshme vjen prej një mendimi religjioz të plazmuar ndër shekuj në mendimin publik. Në rastin tonë mendoj se ka dy faktorë – paranoja që vjen nga periudha komuniste dhe dembelia për të arsyetuar më thellë.

Paranoja e periudhës komuniste është gjithnjë në kërkim të një dore të fshehtë që kontrollon lëvizjet dhe manipulon ngjarjet. Kjo paranojë prodhon frikë dhe nënshtrim.

Ndërkaq, dembelia për të arsyetuar shfaqet në kategoritë e thjeshtuara të arsyetimit për situatën – e bën Edi Rama se përfiton mbështetje nga familja Trump; e bën Soros kundër Ramës; e bën BE-ja kundër Amerikës… Ky lloj arsyetimi përveçse nuk ka fund, është steril dhe nxjerr në pah pafuqinë për veprim përballë aktorëve kaq të forte, me kaq shumë fije.

Fetarët, kur nuk e shpjegojnë dot diçka, thonë se është mrekulli. Duke qenë se historia dhe politika nuk kanë linearitet, mënyra më e mirë e shpjegimit është aksidenca.
Siç shkruan poeti Robert Frost:

“Dy shtigje ishin në një pyll diku, larg;
Unë mora shtegun e shkelur më pak,
E prej saj erdhi i gjithë ndryshimi…”

Qytetarët dolën në shesh. Qytetarët janë ngjarja vetë.

Zhvillim, po. Si?

Një ndër pikat kryesore për të cilën qytetarët po artikulohen është tema e zhvillimit të qytetit dhe vendit. Gjatë daljes publike për median amerikane “CNN”, kryeministri Edi Rama paraqiti një libër voluminoz që përmbante, sipas tij, mënyrën se si pritet të zhvillohet vendi. I kishte të gjitha projektet aty.

Pikërisht ky ngjan se është thelbi i konfliktit – qytetarët kërkojnë të pyeten se si duhet zhvillohet vendi, si përfitojnë ata, si është më mirë për ta? Nëse zgjidhja për të zhvilluar një vend është një libër i konsultuar me disa ekspertë diku nëpër botë dhe implementimi çalë-çalë i atyre projekteve, pyetja që shtrohet është se pse nuk e kanë bërë këtë vendet amerikano-latine?

Faktikisht, zhvillimi është zgjerim i lirive që gëzojnë njerëzit në një shoqëri, s’është veç çështje numrash, apo sa u rrit PBB-ja. Liritë që gëzojnë qytetarët janë qëllimi dhe mjeti kryesor i zhvillimit.

Në thelb, mënyra si është kapur sistemi tregon se liritë politike, lehtësitë ekonomike, mundësitë sociale, garancitë për transparencë dhe sigurinë juridike i ka në dorë vetëm një person – kryetari i Partisë në pushtet. Dhe këtë “fat të madh” e kemi trashëgim nga ndryshimet kushtetuese të 2008-ës.
Qytetarët nëpër çdo vend të Bashkimit Europian janë pjesëmarrës në zhvillimin e vendit. Tek ne, që prej epokës së komunizmit, qasja për zhvillimin e shumë projekteve për mjedisin, rilindjen urbane dhe trashëgiminë kulturore është nga lart poshtë.
Prej vitesh vuajmë nga institucionet e dobëta dhe liderët e fortë brenda partive, ndërkohë dihet që zhvillimi është pasojë e rregullave, normave dhe institucioneve, të cilët përcaktojnë prosperitetin afatgjatë të një shoqërie. Protestat kundër një projekti të profilizuar me rëndësi të lartë nga kryeministri nxjerrin në pah tensionet mes tendencës zhvatëse të pushtetit (marrëveshje pa transparencë, llogaridhënie e kufizuar te qytetarët) dhe kërkesës për gjithëpërfshirje. Mënyra se si do veprojnë institucionet në këtë rast pritet të ndërtojë arkitekturën e re të reagimit ndaj rasteve të ngjashme.

Nuk dimë ndonjë vend me kapitalizëm të qëndrueshëm që të jetë zhvilluar pa të drejta të qarta pronësie; vërejmë kudo që sa më i zhvilluar është vendi, aq më e gjerë mbrojtja e mjedisit; sa më të forta institucionet, aq më të mëdha investimet.

Kuptojmë se zhvillimi i qëndrueshëm vjen prej atyre institucioneve publike që kufizojnë pushtetin e njëshit në shtet dhe parti, teksa mundësojnë për ekonominë dhe vendin të ashtuquajturin “shkatërrimin krijues”. Kjo protestë me këtë mobilizim qytetar që po shohim është nyje e rëndësishme historike e cila apelon për institucione gjithëpërfshirëse.

Mbyllja e sistemit

Në vitin 2008, me anë të ndryshimeve kushtetuese që kreu ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu i PS-së Edi Rama, sistemi politik u mbyll. Mbyllja e sistemit u artikulua nga shumë aktorë si stabilokraica e duhur për vendin. Sot kuptojmë se dy aktorët politikë, pavarësisht marrëveshjeve që mund të kryejnë, mbi dhe nën tavolinë, nuk e mbajnë dot sistemin të mbyllur.

Epoka Post-Merkel

Stabilokracia ishte motoja që kishte epoka e qeverisjes së kancelares Angela Merkel në Gjermani. Në Ballkan, sipas politologëve të ndryshëm, kjo u përkthye me liderë të fortë nëpër gjithë Ballkanin Perëndimor. Stabilokracia bart një problem të madh sepse ndërtohet në kurriz të demokracisë. Nëse zgjidhja është stabilokracia, regjimet diktatoriale janë më të mira, sepse janë më efikase. Ndërsa Gjermania dhe Franca e kanë cilësuar së fundmi zgjerimin e Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit si “domosdoshmëri gjeopolitike”, liderët që shesin vetëm imazhin e stabilitetit kanë disavantazhe përballë demokracisë së brendshme.

Imazhi ndërkombëtar

Kur s’të duan qytetarët e tu, mos prit të të dojë bota. Mbulimi ndërkombëtar i protestës qytetare në Shqipëri ka qenë shumë i gjerë. Mediet më të rëndësishme ndërkombëtare kanë mbuluar protestën qytetare. Linjat e mbulimit janë nga më të ndryshmet – podkasterë të majtë e cilësojnë anti-Trump; ambientalistët për mbrojtjen e natyrës; komunistët kundër kapitalit ndërkombëtar; disa islamikë kundër “kolonizimit izraelit”; disa ekstremistë të djathtë për ruajtjen e sovranitetit… sa e sa mënyra mbulimi ka për këtë protestë. Ndërkohë, ngjarja është protesta qytetare dhe kërkesat e tyre për të ditur se kush është konsultuar për projektin, ku është projekti, kush i ka bërë studimet mjedisore dhe cilat janë procedurat që janë ndjekur? Aktualisht, çështja ka tejkaluar pronësinë, duke shkuar tek kërkesa e legjitimitetit të qeverisë Rama për të ndërmarrë këto veprime.

Pro apo kundër Amerikës?

Që në krye të herës, eksponentë të pushtetit dhe afër pushtetit filluan të përhapin teori të ndryshme për të zbehur protestën. Ndër to mund të citojmë ato me agjenturë greke, shprehje “naziskine”, agjentura serbe, agjentë iranianë…
Konstantja e çdo propagande për të zbehur një protestë është lajmi “s’ka njerëz” ose “ka më pak njerëz se dje”. Këtë e lexojmë përditë.
Ndërtimi i këtyre narrativave shërben për ta kaluar debatin nga llogaridhënia tek emocionalja. Për ta mbajtur në kufijtë e zemërimit, duke zbehur organizmin interesant që ka me orën, tubimin para kryeministrisë dhe ecjen nëpër qytet. Fakti që protesta u bë kombëtare dhe ndërkombëtare, tregon maturinë e publikut. Po ashtu, reagimi agresiv i kryeministrit ndaj medieve ndërkombëtare tregon shqetësimin që ka ai. Protesta i kaloi kufijtë e Vlorës, erdhi në Tiranë, shkoi nëpër qytete të tjera dhe përfundoi në Nju Jork.

Aktualisht ka arritur mobilizim masiv, ka marrë gjithë vëmendjen publike, ndërsa tani shfaqet presioni politik i qytetarëve. Në këtë fazë, tentativa për ta përshkruar protestën qytetare kundër interesave amerikane është në vazhdën e çuarjes përpara të planit për ta futur debatin në brazdat emocionale. Në asnjë protestë nuk ka fituar zemërimi, porse disiplina. Fuqia e protestës është pikërisht të qenët paqësore. Institucionet amerikane na e kanë thënë prej kohësh se cilat janë interesat e tyre në Shqipëri: vend anëtar i NATO-s, pa ndikim nga kundërshtarët e SHBA-së dhe vend anëtar i Bashkimit Europian. Ndërtimi i përfytyrimeve se “vendimet në SHBA merren siç i merr Edi Rama në Shqipëri” apo “…nëse e ke mirë me Trump-in, s’ka ç’të bën SPAK-u”, janë pjesë e një opinioni të thjeshtuar dhe pa ngjyra, të cilin e trashëgojmë nga koha e komunizmit me arsyetimet dhe shpjegimet bardh a zi, pushtet dhe armiq të Partisë…

Protesta është katalizator për ndryshime të rëndësishme që apelohen nga qytetarët, që, ku nesër kur të vijnë investitorët amerikanë dhe kur vendi të bëhet pjesë e Tregut të Përbashkët Europian, normat ligjore të vlejnë njësoj për të gjithë.

E ardhmja ndërtohet, ajo nuk bie nga qielli.

Botuar në revistën “Mapo”

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *