Shqipëria do të blejë 6 dronë Bajraktar nga Turqia. Marrëveshja mes përfaqësuesit të kompanisë Bajraktar dhe kryeministrit të vendit, Edi Rama u nënshkrua gjatë një konference të përbashkët për shtyp.
Kryeministri shqiptar e cilësoi tejet të nevojshme për nevojat e vendit blerjen e këtyre dronëve të cilët u bënë të njohur në luftën e Ukrainës. Rama sqaroi se krahas funksionit ushtarak, dronët do të përdoren dhe për monitorimin e territorit dhe në luftën ndaj veprimtarive të paligjshme. Rama shtoi se shpresonte që dronët të mos përdoreshin asnjëherë për qëllime luftarake, por zhvillimet e fundit e bëjnë të detyrueshme blerjen e tyre.
“Tre dronët që do të vijnë së pari, do të jenë të armatosur dhe do të jenë të gatshëm për çdo rast, ku dhe kur dhe shpresoj të mos ndodhë kurrë, por nuk jetojmë në kohë fort të sigurta, kur dhe ku siguria jonë kombëtare të jetë nën kërcënim, në këtë rast do të jemi gati për luftë, por ndërkohë ato do të jenë gati dhe për një gamë të plotë aktivitetesh që do të jenë mjaft dobiprurëse për mirëqeverisjen në vend.”- tha Rama.
Ajo që mbetet ende e paqartë është vlera e këtyrë dronëve. Nuk dihet se sa do të paguajë qeveria shqiptare për blerjen e dronëve, ndërkohë që kryeministri Rama është mjaftuar me shpjegimin se dronët do të blihen me një çmim të arsyeshëm.
Dronët Bajraktar u bënë të njohur në luftën e Ukrainas, ku forcat ukrainase arritën të shkaktojnë dëme të mëdha ndaj infrastrukturës ushtarake ruse me anë të përdorimit të këtij droni. Droni Bajraktar u përdor dhe në luftën e fundit mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, luftë në të cilën azerët dolën fitues falë dhe rolit përcaktues që luajti përdorimi i këtij droni nga ana e tyre.