Nata e gjatë e protestës së djeshme përfundoi me një moment tensioni pranë aeroportit të Rinasit, ku forcat e policisë ndërprenë marshimin e mijëra qytetarëve rreth orës 02:00 të mëngjesit.
Pas tre orësh tubim para Kryeministrisë, protestuesit marshuan nëpër rrugët kryesore të Tiranës dhe vijuan përgjatë autostradës Tiranë–Durrës drejt Rinasit. Rreth mesnatës ata mbërritën te mbikalimi i Rinasit, për të vazhduar më pas drejt aeroportit, ku u përballën me kordonin e policisë që ua bllokoi kalimin.
“Ruani qetësinë, mos bllokoni rrugën. Veprimet tuaja janë të paligjshme”, u bënin thirrje efektivët protestuesve. Por qytetarët iu përgjigjën me zë të lartë: “Bashkohuni me ne! Hiqni kapelet! Mos u dorëzoni!”, duke u bërë thirrje policëve të rreshtoheshin në krahun e qytetarëve dhe jo të qeverisë.
Slogani “Policia është e jona, jo e Edi Ramës” u kthye në thirrjen kryesore të natës, ndërsa organizatorët njoftuan edhe ndalesën e radhës të lëvizjes: nesër protesta do të vazhdojë në Surrel.
