Numërimi i votave të mërgatës ka sjellë ndryshime në shpërndarjen e mandateve për legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës, duke i siguruar Lëvizjes Vetëvendosje një mandat shtesë.
Sipas rezultateve të përditësuara, Vetëvendosje ka marrë 344,176 vota ose 45.48% të totalit, duke e çuar numrin e mandateve të saj në 52 dhe duke forcuar pozicionin si forca më e madhe politike në vend.
Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka zbritur në 22 mandate. Subjekti ka siguruar 152,157 vota ose 20.11%, duke humbur një ulëse krahasuar me ndarjen e mëparshme të mandateve.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mbetet forca e tretë politike me 129,714 vota ose 17.14%, duke siguruar 19 mandate në Kuvend.
Nga ana tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 52,466 vota ose 6.93%, rezultat që i garanton 7 ulëse parlamentare.
Përditësimi i rezultateve pas numërimit të votave të mërgatës ka ndikuar drejtpërdrejt në rishpërndarjen e mandateve, duke i dhënë Vetëvendosjes mandatin e 52-të, ndërsa PDK-ja ka humbur një ulëse në Kuvendin e Kosovës.
