Nga Astrit Cani

Në hymje të protestës, duhet pyetë: a je patriot a partiot? 

Nji shumicë jo e pakët aty, janë votues të djathtë, por nuk janë partiotë, as nuk e kanë nderin e familjes së vet te familja Berisha. 

Por ka edhe partiotë, që kanë tregue në çfarë cektinash noton aktualisht Pd-ja. Kta merren me Marjanën, ngaqë nuk kanë aftësi dialektike me prodhue ide. 

Të tjerë thonë se Marjana, asht masha e Ramës, me kapë protestën. Ndërkohë protesta fillon në Australi dhe mbaron në Kanada, nuk e kapin dot as mediat botnore, ngase nuk zhvillohet në stadiume si botnori i futbollit.

Rinia prodhon në mënyrë metafizike të tashmen. Brezi i ri nuk ka komplekse të tipit partiak, ideologjik, krahinor e fetar. Dhe internacionalizmi i webit i ka vaksinue nga kto viruse.

Pra Marjana asht pjesë e tribunës së shqiptarisë, pamvarësisht se ju e intimidoni mos me dalë aty, por toleroni sharlatanët si Pilinçi, që bajnë nji show të denjë për psikologët e burgut.

Nyja gordiane asht Rama, këputja e kësaj nyje i liron të gjitha fijet.

Por berishizmi asht nji tjetër virus i deep state-it stalinist. Kulti i errët e individit, të cilin e kemi luftue te shkrimtari Kadare, të cilin e lexonin të gjithë ata që s’lexojnë, dhe e mbronin ata që nuk mbrojnë ide por persona, paraqitet ende i gjallë te kryetari i Pd-së që e mban partinë si kullë ngujimi.

Figura qytetare pranë kësaj partie nuk kanë pasë fatin me mujtë me i dhanë kësaj partie frymë qytetare: Ben Broci, Kol Olldashi, Gil Bakalli, Gert Bogdani kanë vdekë të gjithë të rij, por ndoshta po t’kishin jetue deri sot kishin mujtë me e futë ma n’fund ktë frymë si dominante e asaj që ishte shpresa ma e bukur e pluralizmit shqiptar. 

Ka mbetë vetëm nji Tomor Alizoti, i cili e din se asht i rrethuem me partiotë dhe me individa pa personalitet, të cilët kurr nuk kaluen prej ndërgjegjes te vetëdija.

Kena mbetë edhe ne të tjerët, me pengun se po vdesim në gjuhë të huej, por na ngushëllon fakti se ata që lindën në liri, do ta gëzojnë ma n’fund Shqipninë e lirë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *