Kryeministri Edi Rama reagoi nga mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste lidhur me protestat masive që prej ditësh po zhvillohen në vend, duke i cilësuar ato si pjesë e një vale sulmesh të nxitura nga interesa të ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Sipas Ramës, ngjarjet e javëve të fundit janë shfrytëzuar për të krijuar një “kanal mllefi” kundër tij dhe Partisë Socialiste. Ai argumentoi se debati rreth projekteve të zhvillimit në vend është kthyer në një përplasje më të gjerë, ku sipas tij janë përfshirë influencerë, analistë, opinionistë dhe aktorë të tjerë publikë.

Kreu i qeverisë tha se një incident lokal u shndërrua brenda pak ditësh në objekt sulmi ndërkombëtar dhe se Shqipëria është bërë pjesë e një beteje që, sipas tij, nuk ka në qendër interesat e vendit. Ai përdori tone të ashpra ndaj kundërshtarëve politikë dhe kritikëve, duke i etiketuar si “llapaqorë”, “bllokrevolucionarë të aeroportit” dhe “lugëndryshkurit e familjes sonë të madhe”.

Rama theksoi se kjo është vetëm fillimi i një realiteti të ri politik e mediatik, ku sipas tij përhapen më shpejt gënjeshtrat sesa faktet, dhe kërkoi që zhvillimet e fundit të lexohen në një kontekst më të gjerë politik dhe historik.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *